Sa herë kalonte përgjatë kinemasë, çfarëdo kinemaje, i dukej se te hyrja e saj shihte Anën.
Në të vërtetë, Ana nuk ishte aty. Për këtë sigurohej vetë; merrte drejt hyrjes, kërkonte në çdo cep dhe kur s'e gjente, kthehej prapë në rrugë duke tundur kokën. Ana nuk ishte aty. Ana s'kish si të ishte aty.
Por edhe ishte. Nuk qe nevoja të kalonte përgjatë kinemasë që Ana të shfaqej papritur para tij. Sa herë e dashura i sugjeronte të shkonin në kinema, ai hutohej për një çast. Përse vallë do kërkonte e dashura të takonin Anën? I kishte treguar vallë për të? Qe matur disa herë, por kish vendosur për të kundërtën. Përmendja e saj nuk do sillte ndonjë të mirë. Ajo nuk do dorëzohej derisa të nxirrte edhe detajin më të imët për marrëdhënien e tyre, sa qe i bindur se të nesërmen do i duhej të kërkonte një apartament të ri.
Pasi largohej prej kinemasë, ose përmendja e saj prej dikujt tjetër harrohej mes gumëzhimës së bisedave të tjera, ai mëtonte t'ia mbushte mendjen vetes se përshoqërimi i Anës me kinemanë nuk ishte diçka e rrallë apo e çuditshme. Përgjatë këtyre mëtimeve ai kish arritur madje të gjente edhe shembuj të tjerë, ku emri i një gjëje zëvendësohej nga një përcaktues tjetër. Deri tani kish gjetur 3: Kleenex, Coca-Cola, dhe Ariston. Me të parën ai kish vetëm përvojë dytësore; domethënë, kish dëgjuar të tjerë, që kur dëshironin një letër për t'u pastruar, ata thoshin "më jep një Kleenex". Vetë ai kish përvojë vetëm me dy të tjerat. Me Coca-Colën, marrëdhënia e tij i kish rrënjët thellë në fëmijëri. Shishet e pijës me gaz qenë aq të përhapura, sa e gjithë qyteza ku qe rritur e mbante ujin nëpër shishe Coca-Cola. Kur dikush kishte etje apo edhe nëse shkonte në dyqan për të blerë ujë, zakonisht thuhej: më jep një kokakolë ujë. Paradoksi i asaj që thuhej humbiste në kuptimin e ri që mbartte vetë emri Coca-Cola. Njëlloj si me Aristonin dhe bojlerin. Sa herë ai futej të bënte dush, kur shihte se nuk kishte ujë të ngrohtë, i thërriste të ëmës: Mama, e ke ndezur aristonin? Aristoni ishte firma që prodhonte bojlerat. Porse ky fakt kish humbur tashmë në mjegullën e shumëkuptueshmërisë së fjalës; objektit i qe mveshur një identitet i ri, jo më ai deskriptiv, përshkrues, por një emër tjetër, që lidhej drejtpërsëdrejti me përvojen e subjektit.
Qysh se qe ndarë nga Ana, ai nuk shkonte më në kinema. Madje, përpiqej t'i evitonte. Njëherë gati qe shpërngulur në një qytezë ku nuk kishte kinema, por kish ndërruar mendje në çastin e fundit. Pse të shpërngulej, kur mjaftonte të mos shkonte në kinema?
Por sado përpiqej, këmbët e çonin vetvetiu nëpër rrugica që ndriçoheshin lehtë nga dritat e fjalës “kino”. Dhe atëherë ai shihte Anën. Duke pritur te hyrja. Me një çadër në dorë, ndonëse nuk binte shi. Duke parë orën herë pas here, duke rrudhur buzët ngase ai po vonohej prapë, e si çdo herë do humbisnin dhjetë minutat e para të filmit. Dhe ai që, sapo vinte, qeshte dhe ia kthente se dhjetë minutat e para gjithmonë ishin reklama. Pastaj ata blinin kokoshka dhe Coca-Cola dhe shpejtonin për te salla dhe ia dilnin të uleshin në çastin kur mbaronin reklamat. Pastaj filmi mbaronte dhe ata s’donin të iknin dhe ktheheshin te recepsioni për të blerë biletat e filmit të rradhës dhe shpejtonin prapë drejt sallës për të rigjetur ngrohtësinë e ndenjësëve të tyre.